Shihemi, të dielën

Bill Clinton do të kalojë edhe një herë nëpër valët e ceremonive dhe emocioneve në Kosovë. Këtë të diel, ai do të jetë me ne. Për herë të parë do ta shohë shtatoren e tij, ndërsa për të disatën herë do ta përjetojë dashurinë shqiptare.


Nga Selvije Bajrami më 29.10.2009 në ora 13:16
Bill Clinton pritet të zbresë në Kosovë, të dielën, për ta përjetuar edhe një herë rrëfimin që e lidh me kosovarët.

Ish-Presidenti Amerikan, i cili ka siguruar vendin e pamohueshëm në historinë e Kosovës, do ta kalojë një ditë në Kryeqytet, për të marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të shtatores së tij.

Ai vjen i ftuar nga Kryeministri Hashim Thaçi.

Kreu i Qeverisë tha të enjten se mikut amerikan do t’i bëhet pritje madhështore, duke e quajtur Clintonin - Njeri të Madh, i cili ka bërë shumë për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës.

“Presidenti Clinton është i mirëpritur nga institucionet dhe i gjithë populli dhe është një mirëseardhje e madhe e një njeriu të madh me përmasa globalen që ka bërë shumë për Kosovën, për lirinë dhe demokracinë në botë”, tha Thaçi.

Kryeministri ka ftuar qytetarët e Kosovës që të dielën të jenë në sheshin “Bill Clinton”, në Prishtinë, në mënyrë që Presidentit të 42-të të SHBA’së t’i bëhet pritje sa më e denjë.
Agjenda e tij, gjatë qëndrimit në Kosovë, ende nuk është shpalosur.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, nuk dha detaje rreth aktiviteteve të ditës së diel, pasi që, sipas tij, ende nuk është finalizuar agjenda.



http://www.gazetaexpress.com/index.php/artikujt/lexo/18009/C4/C15/