Ukshin Hoti


Ukshin Hoti ka lindur më 1943 në Krushë të Madhe të Rahovecit. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Prizren dhe Prishtinë. Shkencat politike i kreu në Zagreb, kurse 2 vite pasuniversitare i kreu në Beograd në seksionin për marrëdhënie ndërkombëtare politike dhe ekonomike. Pastaj specializoi një vit edhe në Universitetet amerikane: në Chicago, në Universitetin e Harvardit në Boston si dhe në Washington D.C..

Në vitet e ’70-ta ushtroi detyra të ndryshme në pozita të ndryshme të jetës politike dhe arsimore të Kosovës.

Pas një diskutimi në një mbledhje në Fakultetin Filozofik në Prishtinë më 19 Nëntor 1981, ku ai haptas i mbrojti kërkesat e studentëve shqiptar për Republikë të Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, ai u dënua me 9 vjet burg, të cilat nga gjyqi suprem u reduktuan në 3,5 vjet. Pas lirimit nga burgu u kthye në vendlindje ku u izolua.

Më 1990 punoi në Lubjanë (Slloveni) në revistat shqiptare “Alternativa”, "Republika" dhe "Demokracia Autentike - DEA" si redaktor deri më 1991, kur u mbyllën ato. Pastaj u kthye në Prishtinë ku punoi për një kohë në Universitetin e Prishtinës.

Në mars të 1993 u burgos për herë të dytë pasi që një vit më parë kishte organizuar homazh për martirët e demokracisë në Brestovc. Në të njëjtin vit u rrah keq nga forcat speciale serbe pasi që kishte vizituar pjesëmarrësit e grevës së urisë në pallatin e shtypit në Prishtinë.

Po ashtu më 1993 pasi e lëshoi Lidhjen demokratike (LDK) Hoti mori pjesë në tubimin mbarëkombëtar të organizuar nga përfaqësuesit politik në Tetovë (Maqedoni) ku u theksua nevoja e bashkimit kombëtar të shqiptarëve në një shtet të vetëm.

Më 17 maj 1994 e dënuan me 5 vjet burg për arsyen se ishte pjesëmarrës i lëvizjes për Republikën e Kosovës.




Fati i Ukshin Hotit
Më 16 maj 1999 kishte mbaruar afati i vuajtjes së dënimit politik prej 5 vjetësh. Të burgosurit shqiptarë dëshmojnë se në përcjellje të tre zyrtarëve të sigurimit serb atë ditë ai është nxjerrë nga burgu i Dubravës (Istog, Kosovë), ku ishin sjellë më parë të burgosurit shqiptarë nga burgu i Nishit (Serbi).

Pas bombardimeve të NATO-së më 19 maj 1999, në burgun e Dubravës ka ndodhur masakra më e përgjakshme: janë ekzekutuar e masakruar 173 të burgosur shqiptarë nga forcat serbe.

Babanë e vëllanë e Ukshin Hotit i kanë vrarë kriminelët serbë, bashkë me 30 kushërinj të tij e 174 bashkëfshatarë të Krushës së Madhe të Rahovecit.

Mbi fatin e prof. Ukshin Hotit (prej 1999) nuk dihet më asgjë!

Veprat
“Lufta e ftohtë dhe detanti", 1975
"Filozofia politike e çështjes shqiptare", 1995


Rexhep Qosja

"Ukshin Hoti - ky sot është simbol i vetëdijes historike, i ndërgjegjes dhe i qëndresës së pamposhtur shqiptare. Nuk është e çuditshme pse ky është emri më i kuptimshëm, më domethënës, më frymëzues në jetën tonë politike sot. Dhe, kjo tregon se populli ynë e çmon, ashtu siç duhet, njeriun e gatshëm për sakrifica. Dua të besoj se Ukshin Hoti do të dijë ta mbajë si duhet domethënien gjithëkombëtare, që rrezaton sot emri i tij."

Ismail Kadare

“Kam frikë se pikërisht ky nivel i lartë ka qenë edhe burim i fatkeqësisë, që e ka ndjekur hap pas hapi këtë martir... Është e papranueshme që një personalitet i një populli, pavarësisht se ç'partie i përket, ose nuk i përket, të mbahet në zinxhirë. Është fyerje për krejt atë popull. Më fort se kurrë, kombi shqiptar ka nevojë për njerëz të aftë e me nivel të lartë. Njerëzit e zotë janë princat e vërtetë të një kombi. Për fat të keq, princat goditen shpesh në mënyrë të vdekshme."

Dr. Ibrahim Rugova


Dr. Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Xerrxe, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen e kreu në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984. Në vitin 1996 Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë punoi edhe në revistën Fjala. Mandej, për afro dy dekada, Dr. Ibrahim Rugova veprimtarinë e vet shkencore e zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.

Dr. Ibrahim Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes. Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe n zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK fitoi edhe zgjedhjet e fundit nacionale më 2004.

Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, dekoroi Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.