Ish presidenti Bill Clinton nesër pritet të arrijë në Kosovë

Ish-presidenti amerikan, Bill Klinton, nesër – 1 nëntor, pritet të arrijë për vizitë në Kosovë, për të marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të shtatores së tij. Shtatorja e ish-presidentit amerikan do të përurohet në bulevardin që mban emrin e tij në Prishtinë. Krerët shtetërorë të vendit , kanë thënë se “mikut amerikan do t’i bëhet pritje madhështore”. ...



Lajmi u bë i ditur nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë mbledhjes së qeverisë.

Kreu i ekzekutivit premtoi një pritje madhështore për mikun amerikan. Ai tha se Clinton është “njeri i madh, i cili ka bërë shumë për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës”.

Kryeministri Thaçi po ashtu ftoi qytetarët që të mblidhen të dielën në sheshin “Bill Clinton”, ndërsa falënderoi të gjitha qeveritë e SHBA-ve për përkrahjen e dhënë popullit kosovar.

Po ashtu, u bë e ditur se ish-presidenti Clinton do t’u drejtohet me një mesazh edhe qytetarëve të Kosovës.

Vizita e tij në Kosovë, siç tha kryeministri Thaçi, është e para në Kosovën e pavarur, por jo e para në Kosovën e lirë.

Shtatorja e ish-presidentit Bill Clinton është vendosur në sheshin që mban emrin e tij në Prishtinë, në fillim të këtij muaji. Zbulimi i saj është shtyrë, për shkak të agjendës së zënë të ish-presidentit Clinton

Ndryshe, shtatorja e punuar nga skulptori Izeir Mustafa, peshon 900 kg dhe është e gjatë 3 metra.