Serbia nuk do të hyjë në BE pa e zgjidhur problemin me Kosovën

Pak:

Evrodeputetja Doris Pak tha se Serbia duhet ta ndryshojë politikën e saj ndaj Kosovës nëse dëshiron të vazhdojë rrugën e filluar evropiane. Sipas saj, Serbia nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian derisa të zgjidh problemet me Kosovën. ...
Postuar: 10:32:45 / 28.10.2009


Evrodeputetja Doris Pak sërish ka porositur se e perspektiva e Serbisë në Bashkimin Evropian duhet të shoqërohet me ndryshimin e politikës së saj ndaj Kosovës. “Qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës është jashtëzakonisht i keq dhe ai duhet të ndryshojë” citohet të ketë thënë Pak gjatë një tryeze të rrumbullaktë të mbajtur në Berlin. Sipas saj problemi më i madh i Serbisë është se Kosova është fqinji i saj më i afërt, të cilin nuk dëshiron ta njohë. Ndërkohë, ndarja eventuale e Kosovës nuk do të zgjidhte problemin, tha evrodeputetja. Duke folur për serbët e Kosovës, Pak theksoi se ata duhet të marrin fatin në duart e veta dhe të përfshihen në hartimin e politikës së vendit të vet. “Mundësia më e mirë për këtë janë zgjedhjet lokale gjatë të cilave do të mund të fitojnë vende në këshillat komunale të Kosovës” tha Pak sipas të cilës në këtë mënyrë serbët do të kontribuojnë që shteti i vogël i Kosovës të mbetet i qëndrueshëm. Kjo është në interesin e serbëve dhe tërë rajonit", tha evrodeputetja Doris Pak.