Dr. Schwarz-Schilling: Serbia po luan shumë rol negativ në Kosovë

Njohësi i mire i rrethanave politike në Ballkan, dr. Christian Schwarz – Schilling, ish ministër në kabinetin e kancelarit Kohl dhe i dërguar i BE-së në Bosnjë, tha se pavarësia e Kosovës ka qenë e pashmangshme. Kosova, shton ai, nuk mund të ndahet dhe sovraniteti i saj tashmë është përligjur nga 62 shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. ...



R. Kosova: Dr Christian Schwarz-Schilling, Gjermania shënoi 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Çfarë roli ka pasur kjo ngjarje për zhvillimet botërore ?

Dr Christian Schwarz-Schilling: Rënia e Murit të Berlinit i dha fund luftës së ftohtë. Kjo ngjarje i dha fund edhe diktaturës komuniste në gjithë Evropën lindore, gjë që i dha një dimension të ri demokracisë për gjithë këta popuj. Ndërkaq, me rënien e Murit të Berlinit u krijuar edhe mundësia e bashkimit të Gjermanisë në një shtet të vetëm.

R. Kosova: Në Ballkan fatkeqësisht ka shtete që edhe më tej ndërtojnë të tilla mure në mendjen e njerëzve. Një mur i tillë ekziston sot edhe më tej midis serbëve dhe shqiptarëve dhe ai po betonohet vazhdimisht nga Serbia ?

Dr Christian Schwarz-Schilling: Është e vërtetë. Pas rënies së Murit të Berlinit, për shkak të luftërave që ndodhën në Ballkan edhe sot e kësaj dite në këtë rajon vazhdojnë të jenë të pranishme shumë kontradikta dhe konflikte, që për fat të keq nuk kanë marrë ende fund. Për këtë mendoj unë, fajin më të madhe e ka Evropa e cila nuk ka ndërhyrë në kohën e duhur. Po të kishte ndërhyrë me kohë nuk do të kishin ndodhur gjithë ato vuajtje të qindra mijëra njerëzve të pafajshëm, si në Bosnjë ashtu dhe në Kosovë. Këtu duhet parë arsyen që edhe sot e kësaj dite nuk kanë rezultuar ato zhvillime pozitive që është dashur të ndodhin në këtë rajon.


R. Kosova: Duke pasur parasysh faktin se këto armiqësi në Ballkan ende nuk janë shuar, sa është i rëndësishëm ndërtimi i urave midis popujve dhe kulturave në këtë rajon ?

Dr Christian Schwarz-Schilling: Është shumë me rëndësi të ndodhë kjo. Procesi i pajtimit dhe ndërtimit të urave midis popujve duhet çuar përpara me të gjitha mjetet. Procesi i pajtimit dhe dialogut është një teknikë me vete. Përkundër gjithë atij gjenocidi, shtypjeje dhe padrejtësive që kanë përjetuar popujt në Ballkan, duhet mbështetur procesin e krijimit të mirëbesimit dhe kjo duhet bërë me gjithë fuqinë e mundur. Për shkak se bashkësia ndërkombëtare nuk është angazhuar me gjithë seriozitetin e duhur, vazhdojmë të kemi edhe sot e kësaj dite zhvillime kritike që mund të çojnë në përsëritjen e konfliktit, prandaj më duhet të them se këtë gjendje krize në Ballkan mund ta tejkalojmë vetëm nëse Evropa dhe Shtetet e Bashkuara janë unike, rritin ndihmën e tyre për këto vende, shtojën kujdesin dhe në rast nevoje ndërhyjnë për kursyer njerëzit nga vuajtjet që një herë i kanë përjetuar.

R. Kosova: Keni qenë më shumë se 25 vite deputet në Parlamentin gjerman, keni qenë ministër në qeverinë e kancelarit Kohl, ndërsa keni bërë emër edhe si përfaqësues i BE-së në Bosnjë. Nisur nga kjo përvojë, si e shihni situatën sot në Ballkan ?

Dr Christian Schëarz-Schilling: Për shkak se disa vende i kanë injoruar shtetet e Ballkanit perëndimor, por edhe për shkak të disa zhvillimeve politike të tjera në skenën ndërkombëtare, fjala është për raportet midis SHBA-së, Rusisë, Gjermanisë, Francës Polonisë, etj., Ballkani ka mbetur për një kohë shumë të gjatë jashtë fokusit, përkatësisht jashtë vëmendjes së Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe në pjesën më të madhe atje janë zhvilluar procese jo të mira. Kështu sot vërejmë tensione dhe ashpërsim të situatës në Bosnjë e Hercegovinë. Për të mos lejuar ato që po ndodhin në Bosnjë, të ndodh në Kosovë, kosovarët së bashku me Bashkimin Evropian përmes një trysnie të fortë duhet të detyrojnë serbët që mos t’i fryjnë edhe më tej zjarrit të urrejtjes, por t’i kthehen realitetit, sepse kështu si po vepron Serbia, rreziku mund të jetë i madh. Kjo mund të dëshmohet edhe nga dështimi i bisedimeve këtyre ditëve në Butmir të Sarajevës. Bashkësia ndërkombëtare duhet të ketë një strategji të qartë dhe të gjatë. Kësaj strategjie së pari duhet ti paraprijë një unitete i fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani.

R. Kosova: Mendoni se ekziston rreziku i ndarjes së Bosnjës dhe Kosovës. Doni të thoni se po dështon politika evropiane në këtë drejtim ?

Dr Christian Schwarz-Schilling: Kosova nuk është e ndarë. Ajo është shkëputur nga Serbia dhe është bërë e pavarur. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen, Kosova nuk mund të ndahet dhe ajo tashmë është njohur nga 62 shtete të cilat me njohjen e tyre kanë përligjur shkëputjen e Kosovës nga Serbia, e cila ka ndodhur për shkak të shtypjes gjatë viteve të 90-ta nga pesë për qind e popullatës serbe që ka sunduar me 95 për qind të shqiptarëve. Kjo që ka ndodhur me Kosovën, pra pavarësia e Kosovës ka qenë e pashmangshme, nuk ka pasur rrugëdalje tjetër, prandaj kjo pavarësi është zgjidhje e përhershme për Kosovën dhe nuk do të ketë më kurrë kthim prapa. Bosnja ndërkaq nuk mund të krahasohet me Kosovën. Atje nuk bëhet fjalë për shkëputje por për një shtet, i përbërë nga tre popuj konstituivë që duhet të jetojnë në harmoni edhe me minoritete tjera si janë romët, hungarezë etj, por që nuk kanë të drejtë të keqpërdorin veton për të devijuar proceset demokratike. Në rastin e Bosnjës, bashkësia ndërkombëtare nuk guxon të mbyllë sytë për shkak të gabimeve që janë bërë me Kushtetutën e Dejtonit. Në Bosnjë bashkësia ndërkombëtare duhet ndërmarrë veprime shumë më serioze dhe afatgjata dhe jo të shikojë me oportunizëm. Unë besoj se në këtë çështje Evropa dhe Amerika duhet të marrin masat e duhura.

R. Kosova: Zoti Christian Schwraz-Schilling, Serbia përkundër të gjithave që ka bërë, vazhdon të luaj rol negative si në Bosnjë ashtu dhe në Kosovë. Këtu po vazhdon të financojë edhe më tej strukturat paralele, ndërsa po u bën thirrje serbëve të Kosovës të bojkotojnë zgjedhjet që mbahen me 15 nëntor ?


Dr. Christian Schwarz-Schilling: Ky është një veprim jashtëzakonisht i padrejtë dhe shumë negativ i Serbisë. Jam shpesh në Kosovë dhe në përpjekjet tona për të pajtuar shumicën kosovare me minoritetin serb, kam vërejtur se Serbia nuk ndihmon fare për këtë qëllim. Serbia duhet të dijë se duke keqpërdorur bashkëkombësit e tyre me këto masa kundërproduktive nuk mund ta pengojë procesin e zhvillimit të Kosovës. Serbia duhet ta ketë të qartë se nëse vazhdon ta luajë këtë rol, nuk do të ketë shansin e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Sa i përket vizave do të thosha se Brukseli ka bërë gabim që nuk ka vendosur kurrfarë kushtesh për Serbinë. Brukseli ka bërë gabim dhe duhet ta rishikojë vendimin e vet që në një anë të heqë vizat për Serbinë dhe në anë tjetër të lërë jashtë procesit kosovarët dhe boshnjakët. Kjo ka krijuar përshtypjen se myslimanët janë më pakë të mirëpritur në BE se sa serbët. Ky veprim i BE-së nuk është në harmoni me vullnetin e popullit gjerman dhe besoj thellë as me vullnetin e popujve tjerë evropianë. Nisur nga ky fakt, kërkoj që të hiqet dorë sa më parë nga ky diferencim mbi baza etnike në mënyrë që qytetarët e këtyre vendeve të mos paguajnë harçin e një politike të gabuar.

R. Kosova: Si e shihni perspektivën e Kosovës si shtet më i ri në botë ?

Dr. Christian Schwarz-Schilling: Kosova ka bërë zhvillime shumë produktive dhe shumë veprime të mençura pas pavarësisë. Kosova ka dëshmuar se mund të jetë shtet dhe tani ka të drejtë të bëhet anëtare ë Kombeve të Bashkuara. Këtë kërkesë OKB-ja duhet ta marrë parasysh në mënyrë që Kosova të jetë shtet i pranuar edhe nga kjo organizatë. Kjo duhet bërë që të hiqen fiksionet e fundit për Kosovën në Serbi, sepse tani kemi dy shtete të pavarura dhe sovrane. Sa më shpejt që të kuptohet kjo, aq më mirë do të jetë për të gjithë